Jun 27, 2008

Për imitimin alla-franga

Ka një numër të konsiderueshëm vitesh që bota ka pësuar një zhvillim marramendës, në shumë aspekte të jetës, sidomos në atë teknologjik. Po ashtu, ka disa vite që civilizimi në botë është zvarritur me hapa të shpejtë duke kapur qiellin me dorë... Edhe pse ky civilizim është i dëmshëm për natyrën njerëzore (e kam fjalën për një pjesë të mirë të civilizimit, jo për të gjithë civilizimin!), ai përsëri mbetet arritje, mbetet civilizim dhe, njerëzit e ndjekin duke e respektuar deri në detaj.
Mirëpo, problemi është me civilizimin e quajtur “Liri vetvetore”, “Pavarësi vetvetore” dhe civilizimin “Epsh-dëfryes”. Të gjitha këto e çojnë krijesën më të bukur të Zotit, që është njeriu, në degradim të moralit. Në momentin që një shoqëri fillon dhe e prish, apo e dobëson moralin e saj, atëherë kjo shoqëri ka shkuar dalë-ngadalë me këmbët e veta drejt humnerës!
Morali është pika më e dobët e shoqërisë njerëzore! Mendoj se, është morali dhe intelekti ai që e dallon, dhe duhet ta dallojë, njeriun nga bota shumëllojshe e kafshëve.
Edhe qarqe të ndryshme e kanë kuptuar më së miri këtë pohim dhe përpiqen natë e ditë, me allishverishe të ndryshme, me metoda të lloj-llojshme, që njeriun ta shthurin duke i prishur moralin.([1]) Sepse ‘morali është një gojëz([2]) për vullnetin, logjikën dhe rimën e ndritur të mendjes’.([3])
Ndikimi i këtyre qarqeve në shthurjen e moralit njerëzor ka qenë shumë i madh. Në emër të zhvillimit, civilizimit, relaksimit, paqes, etj., morali njerëzor u shthur..., edhe shoqëria u prish, thënë ndryshe, njeriu u afrua më shumë me natyrën kafshëroro-derrërore!...
Si rrjedhojë e prishjes së moralit, njeriut iu larguan virtytet më të mira, më të hijshme për të cilat ai duhet të jetë krenar, kështu që njeriu nuk respekton e as që adhuron Krijuesin e tij (edhe pse e krijoi në formën më të bukur, i dha çdo gjë që i nevojitej), nuk respekton prindërit, ndaj të cilëve është borxhli tërë jetën e nuk iu shlyhet kurrë... (madje kërkon që të ndahet e të qëndrojë sa më larg tyre), bën krime, bën vrasje e grabitje, fyen, shanë e mallkon; pra bën çfarë t’i thotë uni i tij. Tashmë atë e komandon uni, apo nefsi i tij, nuk e komandon më logjika dhe morali!...
Për të bërë një sintezë të kësaj që u tha më sipër, në një nga ditët e javës që kaloi më rastisi të shikoja një makinë e cila u ndal pak metra para meje e, nga dera e pasme e saj dolën dy vajza rreth të 20-ave. Njëra nga ato, duke mos menduar se ku gjendej (medoemos për të nuk ishte momenti të logjikonte e të mendonte), dy djemve që qëndronin në ndenjëset e para të makinës, u tha me zë të lartë (natyrisht me zë përkëdhelës e kërkues për dëfrim në një herë tjetër):
- “Kurrë më! Fuck you! Fuck you, a m’dëgjon?!”
Pas dy-tre minutash, ato u rikthyen sërish në rrugën kryesore, sikur të mos kishte ngjarë asgjë, duke kujtuar momentet e këndshme që kishin kaluar me prehësit e tyre...

Ky fenomen ndodh në pjesën dominuese të shoqërisë shqiptare, sidomos në moshën kulmore të rinisë, mes 18-30 vjeç.
Në këtë rast, edhe vajza e Shkodrës, apo katundarja e civilizuar, (pavarësisht nga fakti se nuk mund të jesh edhe katundar/e edhe i civilizuar) kërkon që të imitojë civilizimin alla-franga duke përdorur shprehje amerikano-moderne!...
Në këtë kontekst, për sa kohë që, ne të gjithë, të mos kontribuojmë e të mos e bëjmë moto tonën ‘ruajtjen e moralit’, ne do të vazhdojmë të vuajmë seriozisht dhe, do të vazhdojmë të jemi shumë larg natyrës së pastër njerëzore...


Shkodër, më 04. 02. 2008


Mirsad Sylja

([1]) Për informacion më të plotë rreth këtij fenomeni, lexuesit i sugjeroj që të lexojë librin: ‘Marija’, të Emine Shenlikoglu, botimet AICC, New York, 2006.
([2]) Sipas ‘Fjalorit të shqipes së sotme”, hartuar nga ‘Akademia e shkencave e Shqipërisë, instituti i gjuhësisë dhe letërsisë”, botuar nga “Toena”, Tiranë 2002, në faqen 396, sqaron se fjala “gojëz” do të thotë: “rrjetë që i vihet kafshës (zakonisht qenit, ujkut, etj.) që të mos kafshojë”.
([3]) Thënie e shkrimtarit dhe dramaturgut austriak Franz Grillparer; e përmendur në librin e Gerhard Helwing, “Citate dhe fjalë të urta nga A deri te Zh”, përktheu: Rasim Stojkaj, Prishtinë 2005, fq. 179.

May 29, 2008

Kërkoj të mirën! - Për prof. Nexhat Ibrahimin -


Koha kalon çdo ditë! Rinia jonë i përshtatet kohës dhe evolimit të saj, pak rëndësi ka për ta se si evulon ajo... Pak rëndësi ka nëse ky evolim (përparim, zhvillim, emancipim, modernizëm, si të doni quajeni), është në dëmin e tyre. Mjafton që e tillë të jetë shumica dhe, të gjithë, o burra pas shumicës!...
Sa herë që në arenën ndërkombëtare del në skenë ndonjë rok-star, ndonjë top-model apo ndonjë seks-simbol, rinia jonë mundohet dhe përpiqet që ta imitojë atë. Përpiqet që të vishet si ai (sipas modës, sepse ai/ajo, janë moda vetë), të mbajë flokët si ai, të vendosi pirse në hundë si ai, të hajë si ai, të eci si ai, të...
Po të hysh në dhomat e shumicës së të rinjve tanë, shikon se muret e dhomës janë të mbushura me posterat e këtyre “shembujve”. Kalon në rrugët e qytetit, shikon të rinjtë që janë qethur (veshur, etj.) si Bred Piti, Michael Jacksoni, Cristiano Ronaldo, Elvis Prestli, etj... Pra rinia jonë kërkon të imitojë dhe, këta, t’i bëjë ideal e busull orientimi. Këta të jenë shembulli i tij, i rinisë sonë.
Por vërtet, a janë këta njerëzit e duhur për tu marrë shembull?! A mund të merret si shembull një njeri që gënjen? A mund të merret si shembull një njeri që mashtron, që vjedh, që tradhton, që drogohet, që vret, që s’ka familje, që...?! A mund të merret shembull një njeri që, mbi të gjitha s’ka moral?..., assesi jo! Nuk mund të merret shembull, ai nuk është asgjë tjetër, por një flluskë që “shpohet” menjëherë, një flluskë sapuni që shkatërron vetveten.

Rini e dashur,

Ka ardhur koha që të mendojmë e të logjikojmë. Ka ardhur koha që të mendojmë e të mos gabojmë në zgjedhjen e shembullit. Ka ardhur koha që të mirës t’i themi e mirë, dhe të keqes, e keqe. Ka ardhur koha që të marrim si shembull, krenarinë e njerëzimit! Ka ardhur koha që, shëmbëlltyra jonë ë jetë margaritari që s’venitet kurrë! Ka ardhur dita që të pimë ujë nga gota e dashurisë së tij! Koha erdhi, që shembulli ynë e shëmbëlltyra jonë, të jetë profeti Muhammed (s.v.s)!...
Ky është shembulli dhe drita që s’u shua kurrë. Ky është krenaria e njerëzimit. Ky është ai që solli rrotullën e historisë. Ky është ai që i mahniti të gjithë, duke filluar nga shokët e tij të dashur, e më pas, personalitet e ndryshme në mbarë botën. Ky është ai që, Bernard Showi e quajti: “Shpëtimtar të njerëzimit”. Ky është ai, për të cilin Gëte tha: “Në histori kërkova shembullin e një njeriu të shkëlqyer, e atë e gjeta, tek Pejgamberi Muhammed!”. Ky është ai që mallëngjeu princin Otto Von Bismark: “Njerëzimi, vetëm një herë, ka parë një figurë të tillë unikale, siç ishe ti Muhammed dhe s’do të ketë më rastin të shohë!”.([1])
Ky është ai, për të cilin princër e mbretër, njerëz të thjeshtë e pushtetarë, thanë: “Muhammed, më vjen keq që s’isha bashkëkombësi yt, se do t’i laja edhe këmbët!...”

Rinia jonë e vyer,

Mos ngurroni të merrni shembull këtë zotëri, të ecni në rrugën e tij, të rrezatoheni prej dritës së moralit të tij, të mësoni prej tij, të edukoheni prej tij, të... Mos ngurroni që këtë zotëri (s.v.s) ta bëni shëmbëlltyrën tuaj më të mirë, sepse ai vërtet e meriton, dhe keni për të shikuar se keni marrë shembullin e duhur.

* * *

Mirëpo, All-llahu i Madhëruar, me mëshirën e dhuntinë e Tij nderoi dhe, në grada më të ulëta se ato të profetit (s.v.s), bëri të mundur që në tokë të kemi edhe shembuj të tjerë. Njerëz të mirë, dijetarë që e përmendin Zotin, të cilët mund të merren shembull dhe që rrezatojnë dritë. All-llahu i Mëshirshëm i përmendi në Kur’an duke thënë: “Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët, All-llahu është mbi gjithçka, është mëkatfalës.”([2])
Pra, I Madhi Zot e nderoi këtë kategori njerëzish, e përmendi në Kur’anin fisnik dhe i bëri shembull për të tjerët...
I Madhërishmi, me bujarinë e Tij, bëri të mundur që shembuj të tillë të kemi edhe në trojet shqiptare; është një mirësi e madhe kjo, për të cilën e falënderojmë pamasë Zotin e Madhëruar.

Njëri ndër këta shëmbëlltyra të pastra, është edhe një njeri i thjeshtë. Një punëtor i madh. Një familjar i rregullt. Një intelektual e studiues i mirëfilltë; një besimtarë i devotshëm, me zemër të madhe, me moral të lartë, me edukatë të mirë. Ai është studiuesi dhe profesori i nderuar, z. Nexhat Ibrahimi.

Efendi Nexhati, u lind më 10 Qershor 1959, në fshatin Zgatar, Opojë, në rrethin e Prizrenit. Më 1974-ën u regjistrua në Medresenë “Alauddin”, në Prishtinë, dhe e përfundon atë me rezultate të larta. Më pas, më 1980-ën regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë, në të cilin diplomoi më 24 Tetor 1984. Më pas, më 1981-in u arrestua, u dënua dhe vuajti dënimin prej 63 e ditëve në Burgun Qendror të Sarajevës. U lirua në mungesë të fakteve. Akuza ishte: “Irredentizmi shqiptar dhe klero-nacionalizmi, shfrytëzimi politik dhe ekonomik i Kosovës nga Serbia, e drejta e studentëve për demonstrata, Kosova Republikë, etj”. Më 1990-ën në Kuvendin e Shoqatës së Ulemave në Prishtinë, u zgjodh për anëtarë të Kryesisë së Shoqatës së Ulemave të Kosovës në Prishtinë. Kryesia e SHU unanimisht e zgjodhi për kryetar. Në vitin 1991, Në Kuvendin e Bashkësisë Islame të Jugosllavisë në Sarajevë u zgjodh anëtar i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Jugosllavisë, në Sarajevë nga territori i Bashkësinë Islame të Kosovës. Më 1992-in, më 14 Dhjetor, në Prizren u arrestua në krye të grupit politik ilegal, i njohur si afera e hoxhallarëve. Me këtë rast u dënua me 8 vjet burg, që në këtë periudhë kohore mund të quhej dënimi më afatgjatë politik për shqiptarët e Kosovës. Më 1994-ën, nga burgu i Prizrenit u transferua në burgun e Dubravës së Istogut, ku u vendos në karantinë, rreth tre muaj në mbikëqyrje të veçantë – tipi i mbyllur, tre muaj të tjerë, përsëri në mbikëqyrje të veçantë – tipi gjysmë i mbyllur, më pak se 3 vjet në tipin B të mbyllur, rreth 6 muaj të tipin A, gjysmë të mbyllur. Në 1998-ën, më 21 Qershor, u boshatis Burgu i Dubravës, të gjithë të burgosurit shqiptar u dërguan në Serbi, kurse Nexhat Ibrahimi me 17 të burgosur të tjerë u dërgua në Burgun e Qarkut të Zajeçarit. Aty qëndroi rreth 18 muaj, në izolim total, me minimum ushqimi, mjekimi, informimi, etj. Më 1999-ën, më 15 dhjetor, përfundoi vuajtjen e dënimit pas 7 vjet e 1 ditë burg. Nga Burgu e deri në Prishtinë, së bashku me disa të burgosur të tjerë, i solli “Kryqi i Kuq Ndërkombëtar”. Në vitin 2000, më 01. 02. 2000, pas gjithë asaj periudhe të mundimshme, rigjeti forcat dhe filloi sërish punën në Këshillin e Bashkësisë Islame, në Prizren. Pas kësaj kohe nuk është i angazhuar politikisht, nuk mbart funksione publike brenda dhe jashtë Bashkësisë Islame.
Pas daljes nga burgu, edhe si pasojë e problemeve shëndetësore, ai u mor më shumë me shkrime dhe botime, duke dhënë një kontribut të shkëlqyer e të pashembullt, jovetëm në shtypin fetar Islam, por edhe në atë periodik, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje, etj.
Ai ka bashkëpunuar e botuar në gazetat dhe revistat më në zë të kohës, si: Gazetën “Besa” – Prizren, “Besimi” – Prizren, “Drita islame” – Tiranë, “Besimtari” – Shkodër, “Epoka e Re” - Prishtinë, “Elif” – Podgoricë, “Koha Jonë” – Tiranë, “Rilindja” – Prishtinë, “Preporod” – Sarajevë, etj.
Me revistat: “Edukata islame” – Prishtinë, “Dituria islame” – Prishtinë, “Etika” – Shkodër, “Familja” – Tiranë, “Fjala” – Prishtinë, “Jeta e Re” – Prishtinë, “Globi” – Shkup, “Glasnik” – Sarajevë, “Hëna e Re” – Shkup, “Impakt” – Tiranë, “Flaka” – Shkup, “Mendimi Islam” – Tiranë – Prizren, “Nacional” – Tetovë, “Nurul-Kur’an” – Prishtinë, “Studime Orientale”, “Takvimi” – Prishtinë, “Vjetari i Arkivit” – Prishtinë, “Univers” – Tiranë, “Vepra” – Shkup, “Takvimi” – Shkup, etj.

Prof. Nexhati, si rrallë kush, ka një kontribut të vyer e shumë të çmuar në botimin e veprave, me tematika të ndryshme. Ai ka përkthyer e botuar mbi 80-të vepra të zhanreve të ndryshme dhe ka shkruar e botuar mbi 30 vepra autoriale. Ashtu siç e cekëm përkitazi edhe më lart, ai ka botuar qindra artikuj, recensione kritike, vlerësime, parathënie e pasthënie në libra e botime të ndryshme. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume, konferenca të ndryshme, sesione shkencore brenda dhe jashtë vendit, etj.
Më poshtë po paraqes një pasqyrë të disa veprave të botuara nga zotëria e tij:

A. Vepra autoriale të botuara:

1990:
1. N. Ibrahimi, Shkolla juridike hanefite, Prizren, 1410 / 1990, fq.78. (separat)
2. N. Ibrahimi, Suzi Prizrenasi – dijetar e bamirës i shek. XV-XVI, Prizren, 1410/1990, fq.36. (separat)
3. N. Ibrahimi, Muslimanët në Ballkan në periodën paraosmane, Prizren, 1410/1990, fq. 34. (separat)
1992:
4. N. Ibrahimi, Aspekte islame, Prizren, 1413/1992, fq. 108.
5. N. Ibrahimi, Tre hadithe me përkthim e komentim, Prizren, 1413/ 1992, fq. 40.
1997:
6. N. Ibrahimi, Kontaktet e para të Islamit me popujt ballkanikë në periudhën paraosmane, Shkup, 1997, fq. 102. Libri i njëjtë me titull tjetër: N. Ibrahimi, Islami në Ballkan para shekullit XV, botimi II, Prizren, 1421/2000, fq. 102.
1998:
7. N. Ibrahimi, Shkolla juridike hanefite dhe karakteristikat themelore të doktrinës së saj, Shkup, 1998,fq.162.; Bot. II, Prizren, 1421/2000.
8. N. Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup, 1998, fq. 300; botimi II, Shkup, 1999, fq. 300; bot. III, Prishtinë, 2000, fq. 300.
2000:
9. N. Ibrahimi, Paragjykimet ndaj Islamit gjatë shekujve, Prizren, 1421/2000, fq. 18.
10. N. Ibrahimi, Imam Ebu Jusufi dhe Imam Muhammedi, Prizren, 1421/ 2000, fq. 62.
2001:
11. N. Ibrahimi - Përgatiti, shkroi dhe përktheu, Mevludi në gjuhën shqipe, Prizren, 2001/1422, fq. 150.
2003:
12. N. Ibrahimi, Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar (sh. IX-XIV), Shkup, 2003/1424, 145 fq.
2004:
13. N. Ibrahimi, Dimensione kur’anore, Shkup, 2004, fq. 78.
14. N. Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, Shkup, 2004, fq. 178.
15. N. Ibrahimi, Aspekte të marrëdhënieve islamo-kristiane në Mesjetë, Prishtinë, fq. 67.
2005:
16. N. Ibrahimi, Kronologji e historisë islame dhe e popujve muslimanë në botë, Prishtinë, 2005, 156 fq.
17. N. Ibrahimi, Imami dhe xhemati, Shkup, 2005, 44 fq.
18. N. Ibrahimi, Bazat e etikës islame, Shkup, 2005, 240 fq.
2006:
19. N. Ibrahimi, Islami si provokim global, Shkup, 2006, 370 fq.
2007:
20. N. Ibrahimi, Imam Ebu Hanifeh dhe Imam El-Maturidiu perla të akaidit islam, Prishtinë, 2007, fq. 47.
21. N. Ibrahimi, Suksesi i garantuar – Edukimi i drejtë, Prishtinë, 2007, fq. 72.



B) Vepra autoriale të pabotuara:

22. N. Ibrahimi, Sektet në historinë e mendimit islam, Shkup, 2007, 240 fq.
23. N. Ibrahimi, Muslimanët në kërkim të Islamit, I-II, Shkup, 2007, 400 fq.
24. N. Ibrahimi, Universi i Jusufit a.s., fq. 180.
25. N. Ibrahimi, Leksikoni i thukët islam, fq. 180.
26. N. Ibrahimi, Ta njohim identitetin tonë musliman, fq. 250.
27. N. Ibrahimi, Çelësi i suksesit – si?, fq. 330.
28. N. Ibrahimi, Dromca nga historia e filozofisë islame, fq. 80.
29. N. Ibrahimi, Disa shprehi të dëmshme, fq. 40.
30. N. Ibrahimi, Aspekti islamo-kombëtar i Lidhjes së Prizrenit më 1878, fq. 80.
31. N. Ibrahimi, Në Islam ka vend edhe për jomuslimanët, fq. 80.
32. N. Ibrahimi, Njohuri themelore të Islamit (tre hadithe), fq. 120 (libër xhepi).
33. N. Ibrahimi, Vepra të zgjedhura të Imam Vehbi Ismailit, 1-27, Shkup, 2009.

Veprat e përkthyera:

A) Të botuara:


1983:
34. Ebu Hanife, Kitab‘ul-vasijjeh, Prishtinë, 1983, metni, (Edukata islame).
1984:
35. Ebu Hanife, Fikh‘ul-ekber, Prishtinë, 1984, metni (Edukata islame).
1985:
36. Imam El-Maturidiu, Traktati mbi besimin islam, (me koment), Prishtinë, 1985-1986, Edukata Islame.
1986:
37. Imam El-Gazaliu, Ballsami i lumturisë, (-), (-), fq. 50. (I botuar në disa revista).
1987:
38. M. Mahmud, Prej dyshimit deri në besim, Prishtinë, 1987, fq. 114; Disa botime.
1988:
39. Muhammed A. Draz, Agjërimi i ramazanit, Prishtinë, 1988, fq. 62: Disa botime.
1989:
40. El-Mewdudi, Muhammedi a.s dhe Kur’ani i shenjtë, Prizren, 1409/1989, fq. 120.
41. Imam En-Nesefiu, Akaidi i Nesefiut, (me koment), Prishtinë, 1989, (Edukata islame).
1990:
42. Et-Temimi, Parimet e besimit islam, (bashkëpërkthyes), Prizren, 1410/ 1990, fq. 24.
43. M. Mahmud, Dialogu me mikun ateist, Prishtinë, 1990, fq. 164. Disa botime.
44. M. Ikball, Poezi të zgjedhura, bashkëpërkthyes, Prizren, 1410/1990, fq. 36.
45. Vexhi Demiraj, Filozofët muslimanë, Prizren, 1410/1990, fq. fq. 64.
46. En-Neveviu, Dyzet hadithe, Prizren,1410/1990, fq.102. Disa botime.
47. Gjozo, Mbi varrin e Muhammedit a. s., Prizren, 1419/1990, fq. 22.
48. Sharofi, Edukata fetare e morale, I, Prizren, 1410/1990, fq. 23. Disa botime.
49. A. Izetbegoviq, Islami sot dhe nesër – Deklarata islame, Prizren, 1411/1990, fq. 77; Disa botime.
50. A. Izetbegoviq, Kundërthëniet e Marksit dhe dështimet e marksizmit, Prizren,1410/1990, fq.8.
1991:
51. Imam El-Gazaliu, Rruga deri në shpëtim, (me koment), Prizren, 1411/1991, fq. 62.
52. Ramiq, Hutbe të zgjedhura të Muhammedit a.s., bashkëpërk., Prizren, 1411/1991, fq. 126.
53. Kaleshi, Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame, Prizren, 1411/1991, fq. 120.
54. R. Garodi, Islami dhe kultura, Sarajevë, 1411/1991, fq. 166.
55. Imam En-Nesefiu, Akaidi i Nesefiut, (me koment), Prishtinë, 1989, (Edukata Islame).
56. Imam El-Gazaliu, Ballsami i lumturisë, (-), (-), fq. 50. (I botuar në disa revista).
57. M. Mahmud, Prej dyshimit deri në besim, Prishtinë, 1987, fq. 114; Disa botime.
58. Muhammed A. Draz, Agjërimi i ramazanit, Prishtinë, 1988, fq. 62: Disa botime.
1992:
59. F. Sheta, Martesa islame, bashkëpërkthyes, Prizren, 1992, fq. 22.
60. En-Neveviu, Dyzet hadithe dhe shtojca e Ibni Rexhebit, Shkup, 1413/1992, fq.126.
61. M. Abdulvehhab, Tre themelet dhe argumentet e tyre, Shkup, 1992, fq. 36.
62. Jasini në transkriptim e përkthim shqip, Prizren, 1413/1992, fq. 64.
63. Ulfe Azizussamed, Islami dhe Krishterizmi, Prizren, 1412/1992, fq. 78. Disa botime.
64. Imam Homeini, Mesazhi drejtuar M. Gorbaçovit, Prizren, 1992, fq. 24.
1993:
54. Izetbegoviq, Deklarata islame, Shkup, 1413/1993, fq. 70. Disa botime.
1995:
55. El-Mewdudi, Sistemi i jetës në islam, Prizren, 1415/1995, fq. 68.
1996:
56. En-Neveviu, Rijad‘us-salihin, bashkëpërkthyes, Shkup, 1996, fq. 645.
57. Grup autorësh, Jeta familjare islame, Prizren, 1416/1996, fq. 96.
58. K. Silajxhiq, Texhvidi (bashkëpërkthyes), Prizren, 1416/1996, fq. 48.
59. En-Neveviu, Rijad ‘us-salihin, bashkëpërkthyes, Shkup, 1996, fq. 645. Disa botime.
1997:
60. M. Mahmud, All-llahu xh. sh., Tetovë, 1997, fq. 82. Botimi II, Prizren, 1421/2000, fq. 82.
61. El-Behij, Imani – besimi në All-llahun xh. sh., Shkup, 1418/1997, fq. 116. Botimi II, Prizren, 2000/1421. fq. 116.
62. M. Hanxhiq, Hyrje në shkencën e tefsirit, Shkup, 1997, fq, 70.
63. M. Hanxhiq, Hyrje në shkencën e hadithit, Shkup, 1997, fq. 66.
64. Corbin, Historia e filozofisë islame, I –II, Shkup, 1997, fq. 446.
1998:
65. A. Bulaq, Islami dhe demokracia, teokracia e totalitarizmi, Shkup, 1419/1998, fq. 220.
2000:
66. Si ta njohim artin islam, Prishtinë, 2000, fq. 64.
67. Gj. Shushnjiq, Fuqia dhe pafuqia e shkencës në kritikën e religjionit, Prizren, 2000, fq. 46.
68. Muslimani i vogël, I, Prizren, 2000, fq. 50. (për fëmijë)
69. Muslimani i vogël, II, Prizren, 2000, fq. 50. (për fëmijë)
70. Muslimani i vogël, III, Prizren, 2000, fq. 50. (për fëmijë)
71. Muslimani i vogël, IV, Prizren, 2000, fq. 62. (për fëmijë)
72. Ibn Hazmi, Shërimi i shpirtrave, Prizren, 2001/1421, fq. 93.
73. Muharrem Omerdiq, Përçarja dhe pasojat e saj, Prizren, 2001/1421, fq. 43.
74. Hasan Kaleshi, Sofi Sinan-pasha dhe xhamia e tij, Prizren, 1422/ 2001, fq. 34.
75. N. Ibrahimi - Përgatiti, Mevludi shqip, Prizren, 2001/1422, fq. 150.
76. Andrew Rippin, Historiku i tefsirit të Kur’anit, Prizren, 2001, fq. 38.
77. Hutbeja lamtumirëse e Muhammedit a. s., Prizren, 2001, fq. 20.
2002:
78. Muhammed Asad, Islami në udhëkryq, Prizren, 2002/1423, fq. 117.
79. Grup autorësh, E vërteta rreth vehabizmit dhe vehabistëve, Tetovë, 2002/1423, fq.76. Bot. II, Prizren, 2002/1423, fq.75.
80. Ahmed Fuad El-Ehwani, Filozofia islame, Prizren, 2002, fq. 156.
2003:
81. En-Nesefij, Besimi islam sipas Imam En-Nesefiut, Prizren, 2003, fq. 88.
82. Muhammed Asad, Rruga për në Mekë, Shkup, 2003, fq. 503.
83. Imam Maturidiu, Jeta, vepra dhe mësimi, Prishtinë, 2003, fq. 96.
84. N. Smailagiq, Halifët besimdrejtë, Prizren, 2003, fq. 40.
85. M. S. Kayani & H. Murad, Djaloshi guximtar - Aliu r. a., Prizren, 2003, fq. 28.
86. Imam Nevevi, Rijadus-salihin, ribotim, Shkup – Prishtinë - Tiranë, 2003, fq. 506.
87. Haki Sharofi, Edukata fetare dhe morale, ribotim, I-II, Shkup, 2003, fq.
2004:
88. Ser Thomas W. Arnold, Historia e përhapjes së islamit, Prishtinë, 2004, fq. 501.
2005:
89. N. Ibrahimi, Fikh’ul-ekber – parathënia, përkthimi dhe komentimi, Prishtinë, 2005, 120 fq.
2006:
90. Ibn Tejmijje, Kitab ‘ut-tewhid (Monoteizmi islam), Prishtine, 2006, fq. fq. 80.
91. Mid’hat Shamiq, Si shkruhet vepra shkencore, Shkup, 2006, fq. 350.
92. Muhammed Ikball, Ripërtëritja e mendimit fetar në islam, Shkup, 2006, fq. 240.
2007:
93. Seid Ramadan, E drejta islame – Burimi dhe zhvillimi, rreth fq. 220.
2008:
94. Grup autorësh, Fundamentalizmi islam - ç’është ky?, rreth fq. 280.
95.



Vepra të përkthyera:

B) Të pabotuara:


96. Mauricie Bucaille, Bibla, Kur’ani dhe shkenca, version i zgjeruar, rreth fq. 500. (Logos-A).
97. Alija Izetbegoviq, Robër nuk do te bëhemi, rreth 240 faqe, ne përgatitje.
98. Jusuf El-Karadavi, E drejta islame - Aktualiteti gjithëkohor dhe gjithëhapësinor, fq. 250.
99. Mehmet Hanxhiq, Prehja e shpirtrave (Lutje nga Kur’ani dhe Hadithi), rreth fq. 80.
100. Ibn Haldun, El-Mukaddima – pjesë të zgjedhura, rreth fq. 350 (Mbi gjysma e materialit është sekuestruar nga policia serbe më 14.12.1992).
101. Sejjid Hussein Nasr, Islami dhe të studiuarit e natyrës, rreth fq. 50.
102. Ebu’l-Hasan El-Esh`arij, Traktati mbi arsyeshmërinë e ilm’ul-kelamit (Risaletun fi istihsani’l-hawdi fi ilm’il-kelami), në përgatitje, rreth fq. 60.
103. Muhammed Asad, Parimet e shtetit dhe të pushtetit në Islam, rreth 200 faqe, në përgatitje.([3])


Periudha e burgut është një histori më vete. Është një periudhë e zezë, plot mundime, sakrifica, tortura, vuajtje, sprova, mall dhe shqetësim për familjen e tij të ndershme...
Mundimet dhe vuajtjet me pranga në duart e tij të pastra, nga të cilat buron mirësia e të shkruarit bukur, do të shkruhej libri më kujtime: “Ky ishte dimri i madh” – (Letër familjes nga burgu u Dubravës).
Kam bindjen se kjo periudhë ishte sprovë e madhe për të dhe familjen e tij të dashur. Ai e kaloi këtë sprovë më sukses, me bindje ndaj caktimit të Zotit, me vullnet të hekurt, me sakrifica, duke besuar në premtimin e All-llahut të Madhëruar. E ai..., e gjeti dhe do ta gjejë shpërblimin tek All-llahu Premtim-mbajtës! Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë (pra do ta gjejë tek All-llahu xh.sh)!([4])

Burgu ishte i vështirë për profesorin, por ai ia kaliti durimin; ishte torturues, po ai ia shtoi shpërblimin tek Zoti i Madhëruar; ishte i mundimshëm, por ai (Nexhati) tregoi se njeriu duhet të pajtohet me caktimin e Zotit. Burgu e thinji, por ato thinja tregojnë urtësi, tregojnë shumë...

“Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam”, me qendër në Tiranë, në një konkurs ndërkombëtar që zhvilloi ky institut, më 2006-ën, prof. Nexhat Ibrahimit iu dha çmimi fitues i konkursit për veprën e tij studimore, librin “Islami si provokim global”.([5])

Ndërsa, “Forumi rinor Islam”, me qendër në Shkup – Maqedoni, i dha profesor Nexhatit një dekoratë mirënjohjeje, me motivacionin: “Për angazhimin e palodhshëm shkencor dhe intelektual në drejtim të afirmimit pozitiv të vlerave madhore Islame”, Shkup, 11.01.2008.
Këto e shumë vlerësime të tjera janë për prof. N. Ibrahimin, që sado pak këto dekorata e mirënjohje, shprehin mirënjohjen dhe respektin e thellë që gëzon secili për profesor Nexhatin, sepse secili ndihet borxhli ndaj tij, sepse ka mësuar, të paktën, qoftë edhe një germë nga shkrimet e botimet e tij madhështore!...

Ai vazhdon të punojë në Prizren mes miqve e shokëve të dashur. Vazhdon të kalojë orë të tëra mbi letra, duke studiuar, shkruar e hulumtuar. Ndonëse me probleme shëndetësore, ai nuk ndalet, punon natë e ditë, sepse e ndjen se ka shumë për të dhënë; me të vërtet që ka shumë, ai është një thesar i vyer...

Rini e dashur,

Muhammedi (s.v.s) është shembulli më i mirë, shokët e tij besnikë, njerëzit e mirë në brezat pasardhës, prof. Nexhati me shokë!...

Këto janë shëmbëlltyra dhe krenaria jonë!

Me të vërtetë që ia vlen për tu marrë shembull një burrë si efendi Nexhati..., shembull dhe virtyt qytetarie, simbol i sakrificës dhe qëndresës, edukatës së mirë, moralit të lartë, i punës së ndershme e të palodhur, i zemrës së madhe, i tolerancës, i paqes, i bukurisë, i devotshmërisë, shembull për çdo gjë!...

Në fund, e di se nuk kam arritur të përçoj plotësisht vlerat e tua profesor, por lutem që sadopak, të kem përçuar diçka nga ju, sado të vogël...

Selam mbi ty, o kolosi i trevave shqiptare!



Shkodër, më 25. 05. 2008


Mirsad Sylja




([1]) Mirsad Sylja, “Fjalë Frymëzuese”, shtëpia botuese “Shtjefni”, Shkodër, 2007, fq. 30-31; duke iu referuar: Ajni Sinani, “Të tjerët për Islamin”, Shkup, 2006, fq. 108.
([2]) Kur’ani: El Fatir: 28
([3]) Marrë nga: http://www.zeriislam.com
([4]) Kur’ani: Ez-Zelzele: 7-8
([5]) Nexhat Ibrahimi, “Islami si provokim global”, “Logos-A”, Shkup, 2006, 370 fq.

Apr 13, 2008

Lexo!


Halid Ibn Fehd El-Behlali


Fjala e parë në kushtetutën dhe librin e Tij, i cili zbriti nga Zoti (xh.sh) është “Lexo”, por kjo është një antitezë e çuditshme!
Njerëzit duhet të shkruajnë, me qëllim që të nxisin umetin për të lexuar. Umeti ka shumë nevojë për formim kulturor, në nivelin individual dhe në nivelin kolektiv. Prej mjeteve më të shfaqura në këtë drejtim është leximi i frytshëm. Ajo i ndërton popujt dhe i ngritë ata, i bën më rezistues ndaj kulturës së huaj, kurse umeti lexues, bëhet më me ndikim tek të tjerët.
Leximi i gjerë është shfletimi i lloj-llojshëm. Përcjellja e botimeve të reja, e ngjall oreksin për të shfletuar çdo të re.
Një autor amerikan, Ilf Stokman thotë: “Sa më shumë që zmadhohet ishulli i njohjes, aq më shumë shtohet zgjerimi i bregdetit të sekreteve.”
Me lexim njeriu i shkurton hapësirat, përfiton nga përvojat e të tjerëve, i lartësohet mendimi, i mprihet mendja, i shpejtohet perceptimi, i zgjerohet diapazoni, i pasurohet njohuria, i shtohet kultura, i zmadhohet ambicia, i përmirësohet mendimi, i kalitet personaliteti, i përqendrohet gjuha, e shfrytëzon kohën, i shtohen argumentet, i forcohen faktet, i lartësohet pozita dhe i njihen meritat.
Një studiues thotë: “Një specialist bashkëkohor duhet të llogarisë se 10-20% të informatave të tij janë vjetruar dhe ato duhen ripërtërirë ato.”
Edhe kulturat e përjetojnë pleqërimin nëse ato nuk kaliten dhe nëse nuk ripërtërihen me shfletim, permanent dhe përcjellje të të rejave dhe të dobishmes, që mos të dobësohet njohja e deponuar që e kemi në trurin tonë. Njeriu duke vazhduar në lexim dhe shfletim të lirë ngjitet në shkallët e kuptimit, perceptimit, kaplimit dhe njohjes.
Salihu, i biri i Imam Ahmedit (r.a) tregon:
-Një njeri e pa babain tim me një shishe me bojë në njërën dorë dhe penën në tjetrën, e i tha: Ebu Abdull-llah, ti ke arritur këtë gradë, je imam i muslimanëve? Iu përgjigj:
-“Në këtë gjendje do të mbetem deri në varr!...”
Burimet e informatave dhe mjetet e shtimit të dijes janë të shumta, mirëpo më i miri dhe baza është libri, i cili është miku dhe shoqëruesi më i mirë dhe është më i liri, nëse krahasohet me mjetet e tjera.
Sa bukur e përshkruan Ahmed Sheukiu librin duke thënë:

Ndërrova librin me miqtë,
Mirëpo nuk gjeta besnik si libri, askënd...
Mik, te i cili është e barabartë çdo gjë e qortove ose nuk e qortove,
Është ai, i cili nuk i gjen të metë mikut të vet!
Çdo herë që e vjetroj, më ripërtërinë,
Më zbukuron me rroba të vlerës dhe dijes.
Mik, për të cilin asnjëherë nuk kam dyshuar.
E vetmja dashuri e cila nuk më ka kushtuar qortim,
Nëse ndonjë natë harrohem në shfletim,
Ai vazhdon heshtjen dhe mirësinë.
Nëse më sheh duke folur ose mërzitem,
I mbledh tregimet përnjëherë.
Librat, kur t`i shikosh me kritikë,
I gjen sikurse miqtë, të vërtetë dhe gënjeshtarë.
I zgjedh ato sikurse mikun.
Zgjedh nga miqtë dhe librat bërthamën!
Miku i mirë kërkon që të jesh i devotshëm,
Kurse libri i mirë kërkon që të jesh i qëlluar!

1- Fillimi zakonisht është i rëndë, e pjesa më e egër është etapa e parë, ndoshta nga shkaku i vështirësisë së saj është edhe dobësia e rezultateve të saja, sepse rezultatet nuk përballen me mundin e dhënë. Ai që merret me vrapim në vazhdimësi, fiton aftësi dhe shkathtësi. Poashtu edhe leximi ka nevojë për stërvitje dhe vazhdimësi, derisa lexuesi të fitojë aftësinë e mjaftuar, duke krijuar edukatë të leximit të këndshëm.
2- Prej gjërave që të shtyjnë në lexim është posedimi i një librarie të përshtatshme shtëpiake, e cila përmbledh libra të rinj e të dobishëm, nga të gjitha sferat e dijes. Pastaj duhet përcaktuar një kohë për të shfletuar raftet e librave dhe duke i`a dhënë hakun që e meriton.
3- Secili njeri ndikohet nga shoqëruesi i tij pa vetëdije. Ai që shoqërohet me njerëz të thjeshtë dhe pleq, prej tyre fiton shumë gjëra nga përvoja, ai që shoqërohet me intelektualë dhe mendimtarë, nuk është i barabartë me atë që shërohet në masën e gjerë. Andaj njeriu, duhet zgjedhur për vetveten, ata që i bëjnë dobi dhe ia shtojnë dijen. Le të kujdeset të bëjë lidhje të miqve të librit, duke caktuar një ndejë të veçantë ku do të shpalosin atë që kanë lexuar dhe të përcjellin gjërat e reja.
4- Njerëzit zakonisht kanë shumë kohë të lirë. Sikur ta shfrytëzojnë këtë kohë me lexim të dobishëm, do të ankoheshin nga koha e ngushtë, e nuk do të mërziteshin e as nuk do t`i mërzitnin të tjerët. Të parët tanë të devotshëm janë ankuar nga vjedhësit e kohës, të cilët nuk bëjnë asgjë tjetër përveç se e humbin kohën në gjëra të pavlera dhe të ulëta.
5- Nuk preferohet leximi dhe nuk i jep frytet e veta, përveç se në momente kur mendja është e kthjelluar dhe e gjallë, atëherë kur nuk është e preokupuar me angazhime, është i qetë dhe nuk është nën ndikim të streseve.
6- Preferohet që t`i ketë afër dorës fjalorët dhe leksionet e ndryshme, në mënyrë që mos të ndërpritet leximi, kur të ketë nevojë, mund të shfletojë fjalorin për ndonjë fjalë të panjohur ose të paqartë.
7- Nuk duhet shikuar sasinë e të lexuarës, por rezultatin dhe frytin e vjelur nga leximi dhe shfletimi. Kjo duhet të shfaqet në moralin, sjelljen, gjuhën dhe shprehjet, të cilat ia përshkruajnë gradën dhe ia përcaktojnë formën e kulturës së tij. Ai që vepron sipas asaj që e përfiton, bën që dija të mbetet dhe të ngulitet më fuqishëm në mendjen e tij.
All-llahu (xh.sh) thotë: “Po sikur të zbatonin atë që këshilloheshin do të ishte më mirë për ta dhe do t`i përforconte më shumë.” ([1])
Ai që vepron me atë që e di, All-llahu (xh.sh) i dhuron dijen e asaj që nuk e di. All-llahu (xh.sh) thotë:
“Kurse ata që e gjetën rrugën e drejtë, Ai atyre u shton edhe më udhëzimin në rrugën e drejtë dhe u ofron mundësi të jenë edhe më të devotshëm.” ([2])
Ibn Kethiri (Zoti e mëshiroftë) thotë: “Ata që kanë pasur synim udhëzimin, All-llahu i udhëzon kah udhëzimi, u jep sukses në këtë synim, ua përforcon këtë udhëzim dhe ua shton atë.”
8- Ai që lexon një libër, duhet ketë me vete lapës, me të cilin shënon mendimet interesante të librit ose i regjistron në ndonjë vend të caktuar, të cilat mund t`i shfletojë kur të dëshirojë.
9- Ai që dëshiron të vlerësojë ndonjë libër, le ta lexojë hyrjen e autorit, nëpërmjet së cilës mundet të gjykojë metodën e autorit, kualitetin e shprehjeve dhe forcën artistike që e kanë ato. Nëpërmjet hyrjes e kupton se ky libër është pishtar në këtë lëmi, është replikë ndaj dikujt, është shtesë e ndonjë teme të përpunuar më herët, është sqarim i ndonjë çështjeje të caktuar ose është pjesëmarrje në zgjedhje të ndonjë çështjeje në hapësirën e kulturës etj. Le ta lexojë edhe përmbajtjen e librit, që ta shohë planin e plotë të librit, unitetin tematik të lëndës. Le të shfletojë referencat e librit, në të cilat është mbështetur autori gjatë përpilimit të librit, gjë me të cilën e zbulon prapavijën kulturore dhe ideologjike të autorit, të cilat paraqesin animin e tij shkencor pa dyshim se leximi i shumtë dhe vazhdimësia në lexim krijojnë te njeriu forcë nëpërmjet së cilës e njeh librin e dobishëm për të, dhe është pikënisje e madhe në lexim dhe i garanton përfundim të shpejtë.
10- Lexuesi medoemos duhet të zgjerojë leximin e tij. leximi i tij nuk duhet të jetë selektiv në një rrafsh të caktuar shkencorë, por duhet të jetë i gjerë dhe gjithëpërfshirës, me qëllim që ta çlirojë mendimin e tij nga kufizimet medhhebore, partiake, rajonale, etj.; mos të mbetet i lidhur për diçka që ia frenon pikënisjen. I vetëdijshëm për dijet që i duhen muslimanit të sotëm, që të jetojë me kualitete, aktivitet dhe që të ketë mundësi të përballet me sfidat ekzistente.
11- Libraritë duhet të posedojnë libra të shumtë dhe të lloj-llojshëm, duke filluar nga librat bazë, referencat e përgjithshme, enciklopeditë e ndryshme, fjalorët, tekstet, komentet e ndryshme, librat e veçantë për specializim, librat ideologjik, për kulturë të gjërë, divanet me poezi, romanet botërore, etj.
12- Shumë njerëz lexojnë, mirëpo në mënyrë sterile. Ata nuk lexojnë me lexim dhe skajim të logjikës, por lexojnë me logjikë kritikuese të veçantë, duke detyruar logjikën që të polemizojë në çdo gjë, qoftë e madhe apo e vogël. Leximi kritik është stërvitje shumë e madhe.
13- Lexuesi nuk duhet ta mohojë natyrën dhe animet e tij natyrore, duhet të ketë personalitet të pavarur dhe të jetë larg ndikimit të shpejtë nga të tjerët.
14- Le të sigurohet lexuesi se sa më shumë që të lexojë dhe të shfletojë, aq më shumë do ta shtojë kuptimin dhe pjekurinë.
15- Le të jetë preokupimi i lexuesit, që në fund të secilit libër që e ka lexuar të japë një vlerësim preciz mbi librin, duke e përmendur edhe kohën e përfundimit të leximit.
Në fund do t`ju paraqes edhe disa raste nga jeta e të parëve të devotshëm, që flasin për kujdesin dhe interesin e madh që kanë pasur për lexim.
Ibn Xhevziu thotë: “Rruga e atij që kërkon përsosjen është shfletimi dhe leximi në librat që kanë mbetur, le të shfletojë sa më shumë, sepse në këtë mënyrë mëson dijen e tyre dhe ambiciet e larta që i kanë poseduar. Gjë që ia shton vullnetin, ia ngjall mendjen, sepse në fund, asnjë libër nuk është pa dobi. Unë u tregoj për gjendjen time. Nuk ngopem nga shfletimi dhe leximi i librave! Nëse shoh ndonjë libër që nuk e kam parë më herët, më duket sikurse kam rënë në një thesar. Kam shikuar listën e librave që gjendeshin në shkollën “Nizamije”, aty ishin 6`000 vëllime! N.q.s them: Kam shfletuar dhe lexuar 20`000 vëllime, ndoshta numri i tyre është edhe më i madh..., e unë akoma jam në kërkim të dijes. Shumë kam përfituar nga leximi i tyre. Kam vërejtur jetë përshkrimin e tyre, sasinë e vullnetit, kujtesën dhe adhurimin e tyre. Kam vërejtur dijen e tyre të çuditshme, gjëra të cilat nuk mund t`i mësojë ai që nuk shfleton.”
Hatib Bagdadiu tregon: “Disa nxënës të dijes pyetën një dijetar:
-A nuk ndihesh i vetmuar?
Tha:
-A ndihet i vetmuar ai që mbarë njerëzimi është me të?!
I thanë:
-Cilët njerëz?
Tha:
-Librat!”
Hatib Bagdadiu thotë: “Libri, përveç dobive të përgjithshme dhe vlerave të mëdha që ka, ai është i ndershëm, dhe në të është bukuria më e çmueshme. Libri është miku më i sigurtë, shoqëruesi më i gëzueshëm, shoku më i pastër dhe dijetari më orator.”
Abdull-llah in Mubareku (r.a) thotë: “Kush dëshiron që të përfitojë, le të lexojë librat e vet.” Një njeriut të mirë i thanë:
-“Kush të shoqëron?
-Ura e librave!- tha.
I thanë:
-Prej njerëzve?
-Tha: Ata që janë brenda në to.”
Ibn Halekani tregon: Ebi Hasen el-Kali, i cili ishte muhadith dhe edib, kishte një kopje të mirë të librit: “El-xhemhere” të ibn Dridit, nga varfëria e madhe u detyrua që ta shiste këtë libër. Para se ta shiste, në një faqe të tij, shkroi disa rreshta poezi:
Jam shoqëruar me të njëzet vjet, e tani po e shes!...
U mërzita dhe u brengosa pa masë
Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja se do ta shes!...
Mirëpo borxhet më futën përpjetë në burg
Nga shkaku i dobësisë, varfërisë, fëmijëve
Për shkak të kalamajve... për t`i lehtësuar punët e mia.

Pastaj e shiti librin. Librin e bleu sherif Murtedai për gjashtëdhjetë dinarë. Kur e shfletoi ai këtë libër e lexoi këtë poezi të mërzitur. Pastaj i`a ktheu librin Ebu Hasan el-Kaliut dhe ia la paratë.



Mirsad Sylja


____________________________

P.S. Shkrimi “Lexo” më ka rënë në dorë para disa viteve në formën e një fletushke të vjetër, në gjuhën shqipe. Në broshurë nuk sqarohej se kush e kishte përkthyer, por shënohej vetëm emri i autorit, Halid Ibn Fehd El-Behlali.
Duke shikuar rëndësinë e këtij shkrimi dhe aktualitetin e tij, mendova, që ta “ruaj” këtë broshurë duke e shkruar në kompjuter dhe duke e botuar atë. Në këtë mënyrë shpresoj të kem bërë një vepër të mirë, e cila do t’ju shërbejë të gjithëve ju...

([1]) Kur`ani: En-Nisa: 66
([2]) Kur`ani: Muhammed: 17

Feb 23, 2008

Doli në çarkullim libri ‘Fjalë Frymëzuese’ i autorit Mirsad Sylja

- “Fjalë Frymëzuese” – Një libër me vlera -

Libri “Fjalë frymëzuese” përbën një ngjarje të shënuar për Mirsad Syljen, jo vetëm për vlerat qytetare dhe intelektuale që ngërthen ky libër, por edhe për faktin se autori dëshiron të krijojë marrëdhënie me problemet që përjeton sot kultura islame në Shqipëri. Si i tillë ky libër është i mirëpritur jo vetëm për besimtarët e islamë, por edhe për qarqet intelektuale.
I riu M. Sylja e njeh dhe e kupton qartë realitetin e qëndrimeve ndaj Islamit në Shqipëri dhe më tej. Ai e ndjen se ekzistojnë shqetësime si rrjedhojë e presioneve të stimuluara ndaj Islamit. Sylja është i ndërgjegjshëm se për kapërcimin dhe shërimin e të tilla situatave, kërkohet më çdo kusht që, në interes të ruajtjes dhe të forcimit të Islamit në Shqipëri, duhet të punohet për formimin shpirtëror të besimtarëve islamë. Në këtë frymë dhe me këtë angazhim, autori i librit përpiqet të kontribuojë duke hedhur dritë në ato probleme, që kërkojnë angazhim dhe zgjidhje, me qëllim që të pasurohet bota shpirtërore, të kultivohen virtytet dhe të lartësohet e reja.
Mirsad Sylja ka bërë të gjitha përpjekjet që në shkrimet e tij të sjellë frymën kuranore dhe jehonën e mësimeve profetike. Ai kërkon të mbetet shumë serioz e i ndërgjegjshëm, kur ndalet në jetën, personalitetin dhe veprimtarinë e Profetit (paqja qoftë me të), duke ftuar që të jetë model i madh frymëzimi. Në libër ndjehet ajo kënaqësi që përjeton autori, kur nxit për mirënjohje ndaj këtij personaliteti shpirtëror të përmasave unikale e të papërsëritshme universale.
Libri “Fjalë frymëzuese” krijon një atmosferë të këndshme, kur autori me përkushtim shpreh dashurinë ndaj Shqipërisë dhe dëshirës së madhe që ajo të integrohet e shëndetshme në Europë. Autori i librit bëhet shumë i përgjegjshëm kur paralelisht sjell mesazhe frymëzuese për edukimin shpirtëror të rinisë, për dashuri dhe përgjegjësi kombëtare dhe për tolerancë ndërfetare; për shtimin dhe forcimin e dashurisë mes shqiptarëve, për të qenë vëllezër (edhe pse nuk bihet dakord për çështje të veçanta).
Në libër ngulmohet që të rinjtë të shmangin çdo dukuri të pasivitetit dhe ftohen ato të mos bëhen pre e të palejueshmes; nxiten që në udhëtimin e tyre drejt se lejueshmes, drejt harmonisë islame, të frymëzohen nga ai brez i mrekullueshëm që të parët u rreshtuan përkrah Profetit (paqja qoftë me të) si thirrës të përhapjes të Islamit.
Në “Fjalë frymëzuese” tingëllon qartë ideja se një shoqëri mund të jetë e shëndetshme kur orientohet drejt dijes, që është thesar, është dritë.
“DHE THUAJ O ZOTI IM MË SHTO DITURINË!”
Ky libër me problematikën që trajton dhe me shumëllojshmërinë e temave që përfshin, shërben për t’i ndërgjegjësuar besimtarët dhe ndihmon për të hedhur poshtë e për të kundërshtuar shpifjet antiislame dhe qëndrimet ateiste.
“Fjalë frymëzuese” e Mirsad Syljes nuk është vetëm një kënaqësi e ligjshme për vetë autorin, por është edhe një gëzim i sinqertë për gjithë medresistët, prindërit dhe të afërmit që ndjekin me entuziazëm ecurinë e rrugës së Mirsadit.
Me kalimin e viteve libri do të fitojë gjithnjë e më shumë vlera për faktin se në të pohohen të vërtetat e kohës, duke krijuar një frymëmarrje për të ardhmen. Libri kontribuon për sot, por edhe për brezat e ardhshëm, që gjithnjë kanë dhe do të kenë nevojë për të tilla mesazhe.
Libri ka vlera sepse me ndjenjë e sinqeritet prek shqetësimet qytetare dhe shpreh ëndrrën e riut Mirsad Sylja që Shqipëria, që shqiptarët, që Shkodra, të bëhen më mirë, që këtu të jetohet më mirë.
Libri ka lera se fton që të kërkohet lumturia. Autori pohon se lumturia “...është një fortifikatë që mund të fitohet me punë, me përpjekje, me forcën e vullnetit dhe me një moral të fuqishëm”.
Libri ka vlera sepse na fton që kurrë të mos humbasim shpresën dhe gjithnjë t’i drejtohemi Të Madhit Zot për ndihmë, sepse Zoti juaj ka thënë:
“MË THIRRNI MUA! UNË JU PËRGJIGJEM!”



Adem BALA
MËSUES I MERITUAR



* * *


- Opinione për librin “Fjalë frymëzuese” -



Spektër i bukur i ideve dhe mendimeve të shtjelluara me frymëzim dhe zotësi të madhe, që duke reflektuar përvojën e pasur dhe njohuritë mbresëlënëse të autorit përkitazi me thesarin e pamatshëm të fesë islame, informon dhe sqaron në mënyrë të shkëlqyeshme çështje të rëndësishme të jetës bashkëkohore, në dritën e tij.
Libër që do të lexohet me kënaqësi nga lexuesit e të gjitha moshave, si ndërlidhje e natyrshme e temave joshëse si për të rinjtë ashtu edhe për të moshuarit, dhe si përpjekje e suksesshme që të paraqiten provat bashkëkohore të vërtetësisë së postulateve universale të diturisë islame, duke e përdorur metodën shkencore.

Prof. Dr Ferid Agani, pedagog dhe deputet në Parlamentin e Kosovës.



...Një vepër themelvënëse për të ardhmen e ndritur të autorit, me mesazhe të guximshme, tërheqëse dhe nxitëse për dituri, mirënjohje, optimizëm e qytetari...

Gilman Kazazi, Teolog


Me liberalizmin e kanaleve të botimit në Shqipëri, duket tashmë sikur që të nëntë lumenjtë çojnë për në detin që u bë kos, dhe gjithkush ka shpalosur lugën për të përfituar nga iluzioni i përjetësisë apo komunikimit me diçka jashtë vetmisë ekzistenciale, iluzione të cilat pulsojnë midis tre gishtave të parë të dorës së djathtë të shumkujt prej njerëzve që dinë të shkruajnë.
Fizikisht, gjithë çka la shenjë, gjithçka që është shenjë, edhe pa qenë e shenjtë, hyn do s’do në vallet rrethore të komunikimit dhe përjetësisë.
Gjithë puna është tek cili kat i komunikimit dhe përjetësisë do të plluskojë shenja: në katin e fakteve të vetëdijshme apo në atë të artefakteve të vetëdijshme.
Pasioni i Mirsadit në librin e tij të parë më bën të shpresoj tek më e mira!
Si një bashkudhëtar i uroj rrugë të gjatë dhe sukses.

Ervin Hatibi, Poet



Mendoj se kjo vepër ka tërësi dhe përçon një mesazh të lartë. Shpresoj që autori të vazhdojë punën me këtë ritëm që ka dhe shumë shpejt do të behet një vravashkë e rrethit ku jeton.

Nexhat Ibrahimi, Publicist dhe Studiues Islam


...“Fjalë frymëzuese” e Mirsad Syljes nuk është vetëm një kënaqësi e ligjshme për vetë autorin, por është edhe një gëzim i sinqertë për gjithë medresistët, prindërit dhe të afërmit që ndjekin me entuziazëm ecurinë e rrugës së Mirsadit.
Me kalimin e viteve libri do të fitojë gjithnjë e më shumë vlera për faktin se në të pohohen të vërtetat e kohës, duke krijuar një frymëmarrje për të ardhmen. Libri kontribuon për sot, por edhe për brezat e ardhshëm, që gjithnjë kanë dhe do të kenë nevojë për të tilla mesazhe...([1])


Adem Bala, Mësues i merituar


http://www.shkruesiterinj.blogspot.com/

([1]) Për të gjithë të interesuarit, librin ‘Fjalë Frymëzuese’ mund ta gjeni tek libraria “Albania”, Parrucë; në librarinë “Ora e Shkodrës”, pranë postës në Pijacë; ose çdo të Xhum’a në xhaminë “Ebu Bekr”.